ENCA: ÇELËSI I SUKSESIT TIM ËSHTË GUXIMI


Karriera e saj nisi duke regjistruar covera të këngëve të famshme botërore në youtube. Kur e ndjeu veten mjaftueshëm të përgatitur u fut më tregun muzikor shqiptar duke ngjitur me shpejtësi shkallët e suksesit. Fillimisht u shfaq me bashkëpunime, si me Big Bastën, Noyzin etj., ku me vokalin dhe interpretimin e saj bëri që shumë fansa ta pëlqejnë. Viti 2014 mund të quhet i saj, pasi rezultoi vërtet i suksesshëm. Fillimisht erdhi me një baladë “Ishim ne”, për të shpërthyer më pas me këngën hit të kësaj vere, “A po t’pëlqen”, e cila ka më shumë se 10 milionë klikime në youtub. Ritmet e këngës, si edhe klipi provokues i këngëtares bëri që kënga të kapërcejë kufijtë shqiptarë dhe të pëlqehet edhe nga të huajt, sidomos ata të vendeve arabe, të cilët janë shumë aktiv në rrjetet sociale të këngëtares, duke postuar komente, si edhe cover-a të këngës së saj. Viti do të mbyllej me këngën “Edhe njo”, një bashkëpunim me reperin kosovar Mozzik.

Megjithëse jeni vetëm 19 vjeç, ju konsideroheni si këngëtare e suksesshme e POP në Shqipëri. Cili është çelësi i këtij suksesi?

Muzikën unë e bëj me shumë dashuri dhe përkushtim, sepse është ajo që kam dashur gjithmonë. Që e vogël i kam patur të qarta ëndërrta dhe synimet e mia në lidhje me muzikën, skenën dhe televizionin. Muzika ime është POP, looku dhe perfomanca ime janë POP. Falë këmbënguljes dhe punës sime dhe të bashkëpunëtorëve të mi më të afërt, kemi arritur të bëjmë punë të veçanta dhe origjinale. Ndoshta kjo është një nga pikat e forta. Publiku tërhiqet nga gjërat e reja. Sigurisht që të eksperimentosh kërkon dhe guxim, sepse ekziston mundësia që punët e tua të mos pëlqehen. Megjithatë ky ka qenë një risk që unë e kam marrë përsipër.

Klipet tuaja kanë miliona klikime dhe komente jo vetëm nga fansa shqiptarë, por edhe të huaj, kryesisht nga vendet arabe. Si depërtuat ju në këtë treg?
Asnjëherë nuk mund ta parashikosh suksesin e një projekti kur bëhet fjalë për art. Sigurisht ke ndjesi, por asnjëherë nuk mund ta dish me siguri. E njëjta gjë ka ndodhur me mua në 2014-ën. Unë dhe bashkëpunëtorët e mi kishim muaj të tërë që punonim shumë, por nuk e kishim menduar që këto këngë do të depërtonin në rang internacional. Për mua ky ka qenë suksesi më i madh i 2014-ës.
Keni menduar të sillni ndonjë këngë në gjuhën e tyre, apo në anglisht, për të qenë më afër me ta?
Për këtë vit kemi tashmë disa projekte të reja në të cilat po punoj paralelisht, ashtu siç jam e bindur që edhe për mua do të ketë surpriza. Single-at në anglisht nuk do të mungojnë.
Cili është komenti që iu ka bërë më shumë përshtypje nga këta fansa?
Përditë lexoj me qindra komente të reja shqip, edhe të huaja. Besoj që komentet që kanë patur më shumë vlerë për mua dhe më kanë motivuar kanë qenë nga disa të huaj, të cilët shpreheshin se megjithëse nuk kuptonin asgjë nga kënga ime, për shkak të gjuhës, muzika i mbushte me pozitivitet dhe ndjesi të mira. Kjo është ajo çka unë dua të arrij me muzikën dhe artin tim, të paktën në këtë fazë të jetës dhe karrierës sime. Dëshiroj që njerëzit të dëgjojnë muzikën time dhe të ndihen të lumtur dhe energjikë, të kërcejnë, të çmenden, të duhen.

Përveç koncerteve, çfarë projektesh ke në fushën e muzikës? A do të vish sërish me një bashkëpunim?

Këtë vit kam shumë plane në lidhje me karrierën time. Sigurisht, që këngët e reja nuk do të mungojnë, si single-at ashtu edhe bashkëpunimet, madje dhe me artistë të huaj. Gjithashtu mendoj se ky do të jetë viti i publikimit të albumit tim të parë, hap i cili për mua dhe për çdo artist tjetër, është shumë i rëndësishëm. Përveç këtyre do të jem e angazhuar maksimalisht me turin tim të koncerteve, shtrirja gjeografike e të cilit do të jetë edhe më e zgjeruar këtë vit. Këto dhe shumë plane të tjera, janë një punë vërtet e lodhshme “motorri”, pas gjithë kësaj është frymëzimi që më japin fansat e mi.

Shkolla

Në Instagram shohim se, përveçse shumë aktive në skenë ju jeni edhe një studente shumë e mirë. A ju pengon angazhimi në muzikë për t’iu përkushtuar shkollës? Pavarësisht se tashmë në jetën time muzika është primare, unë e dua dhe e kam dashur gjithmonë shumë shkollën dhe edukimin. Madje nuk mendoj se mund të quhesh artist i kompletuar pa të. Sigurisht për shkak të angazhimeve të mia maksimale dhe turit nuk ekziston mundësia fizike që unë t’i ndjek studimet rregullisht, megjithatë bëj të pamundurën për t’i ndjekur leksionet kur kam mundësi. Aktualisht jam në vitin e dytë në një universitet privat dhe studioj degën që kam dashur gjithmonë, Marrëdhënie me Publikun dhe Komunikim, duke qenë se është një fushë të cilën unë e shoh të lidhur ngushtë me artin